I dashur Vizitor!

Ne dëshirojmë të jemi një “kantier i hapur” për të nxitur dialogun dhe vlerat njerëzore: lirinë, tolerancën, respektin për tjetrin. 
Ne nuk bëjmë politikë dhe nuk do të ndërhyjmë asnjëherë arbitrarisht në menaxhimin e proceseve të përkufizuara si çështje publike. Përkundrazi, ne dëshirojmë të japim ndihmesën tonë, duke mbështetur dialogun dhe arsyen në çdo fushë, për krijimin e një rrjeti forcash të shëndetshme në ndihmë të vënies së Shqipërisë në udhë të mbarë. Objektivi ynë është të jemi një laborator propozimesh, por duke u nisur nga kultura dhe nga idetë, sepse pa ide, veprimet janë të destinuara, herët a vonë, të dështojnë. 
Liria ka nevojë për mundësi; ne duam që Vendi ynë të shohë drejt së ardhmes dhe do të vëmë të gjitha forcat për të nxitur shkollimin, formimin dhe kërkimin shkencor, për të ndihmuar këdo që ka mbetur mbrapa, dhe në veçanti për të mbështetur gjithmonë dialogun pa urrejtje. 
Ne jemi një forcë morale që sheh nga e ardhmja: në Tempujt tanë qëndrojnë bashkë njerëz të çdo etnie, tradite dhe përkatësie, duke tejkaluar ndarjet historike dhe keqkuptimet që në botën profane ngrenë mure mosbesimi. 
Ne jemi “të rinj” dhe nuk tërhiqemi nga ëndërra dhe projekti madhor për të jetuar në një vend të lirë europian dhe e dimë mirë që duhet të përballemi me sfida të guximshme. 
Ne i kërkojmë shoqërisë së ndërgjegjeve të lira dhe mediave, një dialog të vërtetë, që fillon nga ndjenja e përgjegjësisë së përbashkët për rindërtimin e vlerave universale njerëzore. Kushdo që është nga ana e së drejtës, nuk ka arsye përse t’i trembet një Institucioni që në historinë europiane dhe botërore e ka bërë Lirinë dhe Tolerancën flamurin e tij dhe e ka ngritur lart kundër çdo diktature, qoftë edhe duke paguar një çmim të lartë për mishërimin e dashurisë për Njeriun. 
Është koha për një projekt të madh shoqëror edhe në Shqipëri. Është koha për të nxitur konkretisht mundësitë për lartësimin e Njeriut. Dje, më 14 tetor 2011, në Tiranë u përvijua një tjetër shteg shprese për vendin tonë.
Na ndihmoni të përjetojmë një Pranverë të Re.

Elton ÇAÇI
Mjeshtër i Madh i Lozhës së Madhe të Shqipërisë

Tiranë, më 15.11.2011



Copyright 2016 by Lozha e Madhe e Shqipërisë