RREGULLI ME 12 PIKA

 

1. Muratoria e Lirë (Masonëria e Lirë) është një vëllazëri iniciatike që ka si themel tradicional besimin në Zot, Arkitektin e Madh të Gjithësisë.
2. Muratoria e Lirë i drejtohet “Detyrave të Lashta” dhe “Landmarks” të Vëllazërisë, veçanërisht për sa i takon zbatimit absolut të traditave të veçanta të Urdhërit, thelbësor për rregullsinë e juridiksionit të tij.
3. Muratoria e Lirë është një Urdhër ku nuk mund të bëjnë pjesë veçse Burra të lirë dhe të respektuar, që përpiqen të vënë në jetë një ideal paqeje, dashurie dhe vëllazërie.
4. Muratoria e Lirë synon kështu, nëpërmjet përsosjes morale të anëtarëve të saj, përsosjen e gjithë Njerëzimit.
5. Muratoria e Lirë i detyron të gjithë anëtarët e saj të ushtrojnë në mënyrë të saktë dhe tepër të përpiktë ritualet dhe simbolizmin, mjetet që ajo ka në zotërim, për t’ju qasur dijes nëpërmjet rrugëve shpirtërore e iniciatike.
6. Muratoria e Lirë i detyron të gjithë anëtarët e saj të kenë repekt për mendimet dhe besimet e secilit. Ajo ndalon çdo diskutim apo debat politik apo fetar, në gjirin e saj. Ajo përbën kështu një qëndër të përhershme bashkimi vëllazëror ku mbretëron mirëkuptimi tolerant dhe harmonia e frytshme midis njerëzve që, në mungesë të tyre, do të mbeteshin të huaj për njeri tjetrin.
7. Muratorët e Lirë (Masonët e Lirë) betohen mbi një Vëllim të Ligjit të Shenjtë me qëllim që t’i japin betimit karakterin solemn dhe të shenjtë të domosdoshëm për qëndrueshmërinë e tij.
8. Muratorët e Lirë mbildhen, jashtë botës profane, në lozha ku rrinë gjithmonë të dukshme tri Dritat e Mëdha të urdhërit: Vëllim i Ligjit të Shenjtë, një Këndore (Skuadër) dhe një Kompas, për të punuar aty sipas ritit, me dëshirë e përkushtim, në përputhje me parimet dhe rregullat e përcaktuara nga Legjislacioni i Bashkësisë. 
9. Muratorët e Lirë duhet të pranojnë në lozhat e tyre vetëm njerëz në moshë madhorë, me emër të mirë, burra nderi, të ndershëm dhe fjalëkursyer, të denjë nga të gjitha pikëpamjet për të qënë vëllezër dhe të aftë për të pranuar kufijtë e natyrës njerëzore dhe fuqinë e pafundme të së Përjetshmes.
10. Muratorët e Lirë ushqejnë në lozhat e tyre dashurinë për Atdheun, bindjen ndaj Ligjit dhe respektin ndaj Autoriteteve kushtetuese. Ata e quajnë punën si detyrën e parë të qënies njerëzore dhe e nderojnë atë në të gjitha format.
11. Masonët e Lirë, nëpërmjet shembullit aktiv të sjelljes së tyre të urtë, burrërore dhe dinjitoze, kontribuojnë për lartësimin e Urdhërit, duke ruajtur sekretin masonik. 
12. Masonët e Lirë i detyrohen njeri – tjetrit, me nder, ndihmë e mbrojtje vëllazërore, edhe duke rrezikuar jetën e tyre. Ata ushtrojnë artin e ruajtjes, në çdo rrethanë, të qetësisë dhe të drejtpeshimit të domosdoshëm për zotërimin e përsosur të vetvetes.

Copyright 2016 by Lozha e Madhe e Shqipërisë