DETYRAT E LASHTA TË MURATORIT TË LIRË
(Botim i vitit 1723)
Nxjerrë nga dokumentat e lashtë të Lozhave të përtejdetit dhe të Anglisë, Skocisë e Irlandës, për përdorim nga Lozha e Londrës:
për tu lexuar kur bëhen Vëllezër të rinj, ose kur Mjeshtri jep urdhër.
I. Mbi Zotin dhe Fenë
II. Mbi Nëpunësin Publik, epror apo vartës
III. Mbi Lozhat
IV. Mbi Mjeshtrat, Mbikëqyrësit, Zejtarët dhe Nxënësit
V. Mbi Drejtimin e Zejes në Punë
VI. Mbi Sjelljen
1. NË LOZHË KUR ËSHTË E MBLEDHUR
2. PASI LOZHA ËSHTË MBYLLUR POR VËLLEZËRIT JANË ENDE BASHKË
3. KUR VËLLEZËRIT TAKOHEN PA TË HUAJ, POR JO NË LOZHË
4. NË PRANINË E TË HUAJVE QË NUK JANË MASONË
5. NË SHTËPI DHE NË LAGJE
6. ME NJË VËLLA QË NUK SILLET MIRË
I. Mbi ZOTIN dhe FENË.
Një Murator, për arsye se është i tillë, është i detyruar t’i bindet Ligjit moral dhe nëse e kupton drejt Zejen, ai nuk do të jetë kurrë një Ateist i pamend dhe as një i Shthurur i pafe. Edhe pse në kohërat e lashta Muratorët ishin të detyruar në çdo Vend t’i përkisnin Fesë së Vendit apo Kombit ku jetonin, çfarëdo të ishte, sot vlerësohet më e udhës të nxiten drejt vetëm asaj Feje ku të gjithë Njerëzit pajtohen, duke ua lënë vetë Muratorëve gjykimet e veçanta dhe kjo, me qëllim që të jenë njerëz të mirë dhe të vërtetë, apo burra nderi dhe të ndershëm, cilatdo qofshin përkatësitë apo bindjet që mund t’i veçojnë. Për këtë arsye Masoneria bëhet Qëndra e Bashkimit, dhe mjeti për të lidhur miqësi të vërtetë, ndërmjet atyre që mund të kishin mbetur të largët përjetësisht.
II. Mbi NËPUNËSIN Publik, EPROR apo VARTËS.
Muratori është subjekt paqësor i Autoriteteve Civile, kudo që jeton apo punon dhe nuk mund të përfshihet kurrë në komplote e konspiracione kundër paqes e mirëqënies së Kombit, apo të sillet në mënyrë të papërshtatshme me Nëpunësit vartës. Muratoria është dëmtuar gjithmonë nga lufta, gjakëderdhja dhe turbullirat, kështu që Mbretërit dhe Princërit e lashtë kanë qenë të prirur t’i përkrahnin Zejtarët, për shkak të natyrës paqedashëse dhe besnikërisë së tyre, tipare, nëpërmjet të cilave këta praktikisht u janë përgjigjur ngacmimeve të kundërshtarëve dhe kanë mbajtur lart nderin e Vëllazërisë, që gjithmonë ka lulëzuar në kohëra paqeje. Në këtë mënyrë, nëse ndonjë Vëlla rebelohet ndaj shtetit, ai nuk duhet mbështetur në rebelimin e tij, por sidoqoftë duhet mëshiruar si njeri i palumtur dhe nëse bindet që ai nuk ka kryer asnjë krim tjetër, edhe pse Vëllazëria besnike mund dhe duhet ta dënojë rebelimin e tij e të mos i japë strehë apo t’i lërë vend zilisë politike të Qeverisë, ajo nuk mund ta përjashtojë atë nga Lozha dhe lidhja e tij me të mbetet e pandryshueshme.
III. Mbi LOZHAT
LOZHA është vendi ku Muratorët mblidhen dhe punojnë, e për këtë arsye asambleja, ose shoqëria e Muratorëve e mbledhur në mënyrë të rregullt, quhet Lozhë Çdo Vëlla duhet t’i përkasë njërës prej tyre e t’i nënshtrohet ligjeve dhe rregullave të saj të përgjithshme. Kjo nuk është as e veçantë e as e përgjithshme dhe mund të kuptohej më mirë vetëm duke marrë pjesë në të dhe nëpërmjet Rregullave të Lozhës së Përgjithshme apo të Madhe.
Në kohërat e lashta asnjë Mjeshtër apo Zejtar nuk mund të mungonte Lozhë, sidomos kur njoftohej paraprakisht për tu paraqitur. Mospjesëmarrja ndëshkohej rreptë, përveçse kur Mjeshtri dhe Mbikëqyrësit bindeshin që një nevojë e madhe e kishte penguar.
Njerëzit që pranohen si anëtarë të një Lozhe duhet të jenë burra të mirë e të vërtetë, të lindur të lirë, në moshë të pjekur e të matur, jo robër apo skllevër, jo gra, jo njerëz immoralë apo skandalozë, por me emër të mirë.
IV. Mbi MJESHTRIT, MBIKËQYRËSIT, ZEJTARËT dhe NXËNËSIT
Çdo parapëlqim midis Muratorëve, mbështetet mbi punën e vlefshme dhe vetëm mbi meritën vetjake. Kështu porositësit shërbehen siç duhet, Vëllezërit nuk turpërohen, e as zeja mbretërore nuk përçmohet: Për këtë arsye asnjë Mjeshtër apo dinjitar nuk përzgjidhet për shkak të fisnikërisë së origjinës, por për meritat e tij. Është e pamundur t’i përshkruash këto gjëra me shkrim dhe për këtë arsye çdo vëlla duhet të mbajë vendin e tij e t’i mësojë këto në mënyrën e veçantë të kësaj Vëllazërie. Kandidatët mund të dinë vetëm që asnjë Mjeshtër nuk mund të marrë një Nxënës, nëse nuk ka mjaftueshëm punë për të, nëse nxënësi nuk është një i ri i përsosur, pa gjymtime apo mangësi trupore që mund ta bënin atë të paafatë për të mësuar Artin e të shërbyerit të Porositësit të Mjeshtrit të tij, e kështu të bëhet një Vëlla, e më pas Zejtar në kohën e duhur, pasi ai të ketë shërbyer për një afat disavjeçar ashtu siç e do zakoni i vendit dhe nëse rrjedh nga prindër të ndershëm, atëherë, pasi të ketë fituar cilësitë e duhura, ai mund të ketë nderin të bëhet Mbikëqyrës, e më pas Mjeshtër i Lozhës, Mbikëqyrës i Madh, madje edhe Mjeshtër i Madh i të gjitha Lozhave, në përputhje me meritat e tij.
Asnjë Vëlla nuk mund të bëhet Mbikëqyrës nëse nuk ka bërë detyrën e Zejtarit, as Mjeshtër, nëse nuk ka vepruar si Mbikëqyrës, as Mbikëqyrës i Madh nëse nuk ka qënë Mjeshtër i një Lozhe, as Mjeshtër i Madh nëse nuk ka qënë Zejtar para zgjedhjes së tij, qoftë i lindur fisnik, apo aristokrat me sjellje të shkëlqyer, apo dijetar, arkitekt i mirëfilltë apo artist, që rrjedh nga prindër të ndershëm dhe nuk ka merita veçanërisht të mëdha sipas mendimit të Lozhave. Për përmbushjen më të mirë, më me lehtësi e më me nder të detyrës së tij, Mjeshtri i Madh ka fuqinë të zgjedhë një Zëvendës Mjeshtër të Madh, që duhet të jetë, ose të ketë qënë më parë, Mjeshtër i një Lozhe të veçantë, i cili të ketë privilegjin të veprojë njësoj si mund të vepronte Mjeshtri i Madh, eprori i tij, kur ky nuk është i pranishëm apo kur e delegon autoritetin e tij me një letër.
Këtyre Drejtuesve apo Qeverisësve, eprorë dhe vartës, të Lozhës së lashtë, duhet tu binden sipas rangjeve të gjithë vëllezërit, në përputhje me Detyrat e Lashta dhe Rregulloret, gjithë përulësi, respekt, dashuri dhe dëshirë.
V. Mbi DREJTIMIN e ZEJES në PUNË
Të gjithë Muratorët duhet të punojnë ndershmërisht gjatë ditëve të punës, që të mund t’i jetojnë siç ju ka hije ditët e festave dhe duhet të respektojnë kohën e përcaktuar nga ligjet e Vendit si pushim, apo të vendosur prej zakonit.
Ai që ka më shumë përvojë ndër Zejtarët duhet të zgjidhet ose emërohet Mjeshtër, ose mbikëqyrës i punës së porositësit dhe duhet të thirret Mjeshtër nga ata që punojnë nën autoritetin e tij. Zejtarët duhet të shmangin fjalët e padenja, të mos e thërrasin njëri – tjetrin me asnjë emër përçmues, por Vëlla ose Shok dhe të jenë të sjellshëm midis tyre, si brenda ashtu edhe jashtë Lozhës. Mjeshtri, i ndërgjegjshëm për aftësinë e tij, do ta kryejë punën e porositësit në mënyrën më të arsyeshme dhe me besnikëri, do të përdorë materialet e tij sikur të ishin të vetat dhe nuk do t’i japë asnjë vëllai apo nxënësi pagë më të lartë nga ç’meriton vërtet. Si Mjeshtri, ashtu edhe Muratorët që marrin pagat e tyre me drejtësi, duhet t’i qëndrojnë besnikë porositësit dhe të kryejnë punën e tyre me ndershmëri, si me matje ashtu edhe me ditë. Ata nuk duhet të punojnë me matje, kur është bërë zakon të punohet me ditë.
Askush nuk duhet të shfaqë zili për mirëqënien e një Vëllai, as t’i zërë vendin, as të bëjë që t’i heqin, punën nëse është i aftë ta kryejë. Askush nuk mund të përfundojë punën e tjetrit në dobi të porositësit, nëse nuk ka njohuri të plota mbi vizatimet dhe projektet e atij që e ka filluar.
Kur një Zejtar zgjidhet Mbikëqyrës i punës në vartësinë e Mjeshtrit, ai duhet të jetë i ndershëm si me Mjeshtrin ashtu edhe me Shokët, duhet të mbikëqyrë me kujdes punën në mungesë të Mjeshtrit në të mirë të porositësit; dhe vëllezërit duhet t’i binden.
Të gjithë Muratorët e punësuar duhet të marrin kokëulur pagat e tyre, pa murmurima e pa ngritur krye dhe t’i qëndrojnë Mjeshtrit pranë derisa puna të ketë përfunduar. Një Vëlla më i ri duhet udhëzuar gjatë punës, për të parandaluar shpërdorimin e materialeve nga mungesa e përvojës dhe që ai të rritet e të përcjellë më tej dashurinë vëllazërore.
Të gjitha veglat që përdoren në punë duhet të miratohen nga Lozha e Madhe. Asnjë punëtor nuk mund të punësohet për punë që i përkasin Muratorisë, as Muratorët e Lirë nuk mund të punojnë me ata që nuk janë të lirë, pa një nevojë të ngutshme e as nuk mund të mësojnë punëtorë dhe Muratorë të pa pranuar, ashtu siç duhet ta mësojnë një Vëlla dhe Shok.
VI. Mbi SJELLJEN, në vazhdim
1. NË LOZHË, KUR AJO ËSHTË E MBLEDHUR
Nuk mund të ngrini kuvende të veçantë apo të bëni biseda veçmas pa lejen e Mjeshtrit, dhe nuk mund të trajtoni asgjë të pavend apo të papërshtatshme. Mos ndërpritni Mjeshtrin ose Mbikëqyrësit, apo askënd që flet me Mjeshtrin. Mos u merrni me gjëra qesharake dhe mos bëni veprime për të qeshur kur Lozha është e zënë me gjëra të tjera serioze dhe solemne. Mos përdorni asnjë fjalë të papërshtatshme për çfarëdo arsyeje qoftë, por drejtojuni me nderimin e duhur Mjeshtrit tuaj, Mbikëqyrësve, Shokëve, duke i lartësuar ata.
Në rast se bëhet ndonjë ankimim, Vëllai që gjendet fajtor duhet ta pranojë gjykimin dhe vendimin e Lozhës, që është gjyqtari i duhur dhe fuqiplotë për të gjitha këto lloj kundravajtjesh (të paktën kur nuk është apeluar në Lozhën e Madhe) e ku ato duhen paraqitur, me kusht që ndërkohë puna e porositësit të mos ndërpritet, e që në një rast të tillë duhet rregulluar në një mënyrë të përshtatshme, por nuk duhet të çoni kurrë për gjykim çfarë i përket Muratorisë, pa patur një nevojë absolute të njohur si të tillë nga Lozha.
2. SJELLJA, PASI LOZHA ËSHTË MBYLLUR E VËLLEZËRIT ENDE NUK KANË DALË
Mund të zbaviteni me gëzim të pafajshëm, duke e trajtuar njëri – tjetrin sipas prirjes, por duke shmangur çdo teprim, ose shtrëngimin e ndonjë Vëllai për të ngrënë ose për të pirë tej masës së tij, ose pengimin e tij për tu larguar kur rrethanat e detyrojnë, ose bërjen apo thënien e gjërave fyese, ose që mund ta pengonin një bisedë të thjeshtë e të lire, sepse kjo do ta prishte harmoninë tonë dhe do t’i dëmtonte qëllimet tona të lavdërueshme. Për këtë arsye as zënka e as mërira nuk mund të sillen përtej pragut të Lozhës, e aq më pak diskutime rreth Fesë apo Kombeve apo politikës së Shtetit, duke qënë, si Muratorë, vetëm të Fesë së sipërpërmendur universal. Ne jemi gjithashtu të të gjithë Kombeve, Të Folurave, Prejardhjeve dhe Gjuhëve dhe jemi të vendosur kundër të gjitha politikave, që asnjëherë nuk na kanë çuar drejt mirëqënies së Lozhës, apo do të mund të na çonin ndonjëherë.
Ky detyrim ka qënë zbatuar dhe në vëmëndje gjithmonë; por veçanërisht që prej kohës së Reformës në Britani, ose mospajtimit dhe shkëputjes së kombeve prej Bashkësisë së Romës.
3. SJELLJA KUR VËLLEZËRIT TAKOHEN PA TË HUAJ, POR JO NË LOZHË
Ju duhet ta përshëndesni njeri – tjetrin me mirësjellje, siç ju kanë udhëzuar, duke e thirrur Vëlla njëri – tjetrin dhe duke shkëmbyer lirisht të dhëna që mund të jenë të dobishme, pa ju parë apo dëgjuar të tjerët, por as duke e tepruar me njëri – tjetrin e as duke mangur respektin që është i detyruar t’i tregojë çdo Vëllai, njësoj sikur të mos ishte Murator. Përderisa të gjithë Muratorët janë si Vëllezër, në të njëjtin nivel edhe Muratoria nuk i heq asnjë burri nderin që kishte më parë, përkundrazi, ja shton nderin, e veçanërisht nëse ai e ka merituar prej Vëllazërisë, ai detyrohet tja dijë për nder atij që ia ka bërë të mundur këtë e të shmangë sjelljet e pahijshme.
4. SJELLJA NË PRANINË E TË HUAJVE QË NUK JANË MASONË
Ju duhet të jeni të kujdesshëm me fjalët dhe sjelljen tuaj me qëllim që edhe i huaji më zhbirues të mos mundë të zbulojë apo të kuptojë çfarë nuk duhet të dijë. Ndonjëherë duhet të ndryshoni bisedën dhe ta bëni me kujdes, për nderin e Vëllazërisë së respektuar.
5. NË SHTËPI DHE NË LAGJE
Duhet të silleni ashtu siç i ka hije një burri me nder e të urtë, veçanërisht të mos lejoni që familja, shokët dhe fqinjët të kenë dijeni për gjëra që i përkasin Lozhës, etj., por me mençuri kujdesuni për nderin tuaj dhe atë të Vëllazërisë së lashtë, për arsye që nuk përmenden këtu. Ju duhet, gjithashtu, të kujdeseni edhe për shëndetin tuaj duke mos ndenjur shumë vonë dhe shumë gjatë larg shtëpisë, pas mbarimit të mbledhjes së Lozhës, duke shmangur grykësinë apo dehjen, me qëllim që të mos lini pas dore apo të dëmtoni familjen, apo ju vetë, të mos jeni në gjendje për punë.
6. ME NJË VËLLA QË NUK SILLET SIÇ DUHET
Shqyrtojeni me kujdes, duke u sjellë në mënyrën që kujdesi do ta kërkonte, me qëllim që të mos gënjeheni nga ndonjë i paditur i Shtirur që hiqet për tjetër njeri, të cilin duhet ta largoni me përçmim dhe qesëndi, duke u ruajtur për të mos i dhënë asnjë shenjë njohjeje.
Por nëse kuptoni që ai është një Vëlla i vërtetë dhe i sinqertë, duhet ta respektoni siç i takon e nëse është në nevojë, ju duhet ta ndihmoni me sa mundni, ose përndryshe ta drejtoni ku mund ta ndihmojnë. Ju duhet ta punësoni disa ditë, ose përndryshe ta ndihmoni të punësohet.
Ju nuk jeni të detyruar të bëni përtej mundësive tuaja, përveçse të parapëlqeni të ndihmoni një Vëlla të varfër, njeri të mirë dhe të sinqertë, para cilitdo tjetër njeriu të varfër në të njëjtat rrethana.
Përfundimisht, të gjitha këto Detyra duhet t’i keni parasysh, ashtu si edhe të tjerat që do tju bëhen të ditura në rrugë tjetër, duke ushqyer dashurinë vëllazërore: guri i themelit dhe “çelësi“ i qemerit, çimentoja dhe lavdia e kësaj Vëllazërie të lashtë, duke shmangur grindjet dhe zënkat, përgojimet dhe shpifjet, duke mos i lejuar të tjerët të marrin nëpër gojë asnjë Vëlla të ndershëm, duke mbrojtur karakterin e tij e duke i ofruar atij shërbimet më të mira, për aq sa do të lejonte nderi dhe siguria juaj, pa shkuar më tej.
Nëse dikush ju bën një padrejtësi, ju duhet të drejtoheni në Lozhën tuaj ose në Lozhën tij e më pas mund të apeloni në Lozhën e Madhe, kur ajo mblidhet, siç ka qënë zakoni i lashtë e i lavdërueshëm i baballarëve të çdo Kombi. Mos ndërmerrni veprime ligjore nëse çështja mund të zgjidhet në rrugë tjetër dhe me durim dëgjoni këshillën e ndershme dhe miqësore të Mjeshtrit dhe Shokëve, ndërkohë që ata mund të shmangin paraqitjen tuaj në gjykim kundër të huajve, apo tju nxisin të përshpejtoni veprimet e drejtësisë, me qëllim që ju t’i përvisheni Muratorisë më me zell dhe sukses. Mjeshtri e Vëllezërit, duhet tua ofrojnë me bujari ndërmjetësinë e tyre Shokëve apo Vëllezërve në gjykim, që duhet të jepet me mirënjohje nga vëllezërit në fjalë, e nëse kjo ndërmjetësi është e pazbatueshme, ata duhet, në çdo rast, të vijojnë me procesin gjyqësor, pa inat e qefmbetje (jo në mënyrën e zakonshme), pa thënë apo bërë ndonjë gjë që mund ta dëmtonte dashurinë vëllazërore, duke rimarrë e vijuar marrëdhëniet e mira, me qëllim që të gjithë të mundin të vërejnë ndikimin e mirë të Muratorisë, ashtu siç Muratorët e vërtetë kanë bërë që nga fillimi i botës e do të bëjnë deri në fund të kohës.
Amin, kështu qoftë.